E Hënë, Nëntor 19, 2018
A- A A+

Afganistani nuk është si vietnami, është si shqipëria

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

Ndryshe nga shumë krahasime popullore që bëhen së fundmi, Afganistani nuk është si Vietnami. 

Por është më shumë si Shqipëria.

Rreth 70 vite më parë, Shqipëria - një vend i vogël malor në Ballkan, ishte akoma i populluar nga shumë luftëtarë fanatikë fisesh. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania e pushtoi këtë vend. 


Nisur nga rëndësia strategjike e Ballkanit, Aleatët, të drejtuar nga britanikët, dërguan agjentë të fshehtë për të organizuar rezistencën vendase në Shqipëri. 

Por këta agjentë të Aleatëve ishin të paaftë që të mendonin si luftëtarët e fiseve, e për këtë arsye dështuan. 

Nëse presidenti Obama mëson nga gabimet e britanikëve dhe takon luftëtarët afganë sipas kushteve të tyre, Shtetet e Bashkuara mund të përfundojnë luftën dhe të fitojnë paqen, ndershmërisht. 

Kultura fisnore shqiptare ishte dhe është ende e bazuar mbi lidhjet familjare. Besnikëria shkon në radhë të parë për familjen dhe fisin. 

Në vitin 1943, shteti shqiptar ishte vetëm 30 vjeç dhe drejtuesit e fiseve kishin shumë pak ose aspak besim te shteti, për të cilin besonin se ishte i korruptuar. 

Mbi të gjitha, kultura fisnore shqiptare ishte një kulturë grindjesh. Disa fise ishin miqësore, të tjerat armiq të përbetuar. 

Kjo kishte krijuar një rrjet të ndryshueshëm, pothuajse të pakuptueshëm aleancash e fraksionesh, ngjashëm me Afganistanin. 

Siç shkruante një oficer aleat: “Të shpenzosh orë të tëra në përpjekje për të bërë që një shqiptar të jetë në një këndvështrim me ne, është një humbje kohe; e vetmja metodë e mundshme është që ta bindësh atë se projektet që ti dëshiron, janë të dëshirueshme dhe nga këndvështrimi i tij.”

Në fund fare, shqiptarët nuk u bindën. Kostot ishim të larta: të paktën 14 agjentë të Aleancës dhe një numër i papërcaktuar shqiptarësh vdiqën dhe tonelata me pajisje u zhdukën. 

Në vitin 1945 gjermanët ishin larguar duke e lënë Shqipërinë në duart e diktatorit të pamëshirshëm komunist, Enver Hoxha. 

Nuk ka pse përfundon kështu dhe në Afganistan. 

Ajo çka ishte e vërtetë për udhëheqësit e fiseve shqiptare në vitin 1943 është edhe për drejtuesit e fiseve në Afganistan në vitin 2010; ata më së pari do të veprojnë në interes të familjes dhe fisit të tyre. 

Besnikëria e tyre kryesore nuk është ndaj qeverisë apo ideologjisë. Duket se zoti Obama dhe komandantët e tij ushtarakë e kuptojnë këtë. 

Por leksionet nga dështimi i Aleatëve në Shqipëri shkojnë akoma më thellë. 

Leksioni i parë: shqiptarët tradicionalë varen nga një sistem qindravjeçar ligjesh zakonore, që quhet Kodi i Lekës, e që bazohet në konceptin e nderit. 

Ekuivalentja afgane quhet rang. 

Një luftëtar shqiptar preferon të vdesë se sa të çnderojë veten dhe familjen e tij, e njëjta gjë është dhe për luftëtarët afganë. 

Kjo i bëri shumë të vështira gjërat për agjentët britanikë, të cilët nuk mund t’i bindnin shqiptarët që të vepronin në mënyrë të pandershme - të tradhtonin familjen apo miqtë që punonin për gjermanët, për shembull - dhe asnjë shumë parash nuk mund të ndikonte. 

Në të njëjtën mënyrë, ushtarët amerikanë duhet ta marrin në mënyrë shumë serioze kodin zakonor të afganëve, Pashtunwali. 

Në çdo aksion që ne ndërmarrim, në çdo negociatë, nderi është në rrezik dhe pa nder një afgan, ashtu si një shqiptar, nuk është asgjë. 

Baza për një marrëdhënie me Afganistanin duhet të jetë nderi dhe nderi ndahet mes individëve, burrë me burrë. 

Duke shtuar më shumë trupa në terren, duke ndërvepruar me afganët, është e vetmja mënyrë për të ndërtuar lidhje të tilla të nderit. 

Leksioni i dytë madhor që duhet mësuar nga gabimet britanike është: në kulturën shqiptare miku është i shenjtë. Sipas kulturës zakonore, mëkati më i madh është që t’i mohosh një vizitori mikpritjen. 

Ekuivalentja afgane është melmastia.

Ushtarët britanikë patën avantazh nga mikpritja shqiptare, por ajo ishte një thikë më dy presa. Njëherë që një mik vjen në shtëpinë e një shqiptari, ai krijon një lidhje nderi për ta mbrojtur atë, edhe nëse ai është nazist. 

Afganët gjithashtu i quajnë miqtë të shenjtë. Ata që kanë mikpritur luftëtarët talebanë nuk kanë asnjë shans që t’i dorëzojnë ata. Ne mund të gjurmojmë talebanët, por nuk do të presim shumë nga afganët tradicionalë, që në termat shqiptarë, i kanë mirëpritur ata. 

E treta dhe përfundimtarja: në kulturën tradicionale shqiptare, e vetmja mënyrë për të sjellë në vend nderin është gjakmarrja ose pajtimi me ndërmjetësimin e “miqve të mirë”, në formën e besës apo pajtimit. 

Fjalët afgane për gjakmarrjen dhe për pajtimin janë badal dhe rogha. 

Britanikët dhe shqiptarët refuzoheshin gjithmonë mes këtyre dy poleve, gjakmarrjes dhe pajtimit. 

Luftëtarët amerikanë në Afganistan do kenë të njëjtin problem. 

Obama ishte drejt hapjes së derës së pajtimit gjatë fjalimit që mbajti në West Point gjatë muajit që shkoi. Nëse SHBA duan që të kenë sukses në Afganistan, strategjia në terren duhet të jetë një marrëveshje paqe mes individëve, familjeve dhe fiseve. 

E çka është më e rëndësishme, bëni paqe me të afërmit e atyre që janë vrarë pa dashje, të cilët nga ana e tyre janë të përkushtuar për të marrë gjak. 

Jehona e kulturës fisnore vazhdon në malet e larta të veriut të Shqipërisë, por vendit sot është në rrugën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. 

Nëse është kështu, nëse SHBA do të fitojë në Afganistan, ne duhet të mendojmë si një luftëtar i djeshëm i Shqipërisë. 

Ne duhet t’i vrasim armiqtë tanë ose të përgatitemi për pajtim me ta. Nuk ka rrugë të mesme. 





* Michael L. Galaty është profesor i antropologjisë në Millsaps College në Jackson, Mississipi. Ai ka kaluar tetë vite në veri të Shqipërisë duke kryer studime. Titulli është redaksional. Titulli në origjinal: Afganistani nuk është si Vietnami

 

***Marre nga gazeta Impakt

Mburoja e Myslimanit