E Enjëte, Tetor 17, 2019
A- A A+

A duhet të ngrihen duart gjatë tekbireve në namaz

User Rating: 5 / 5

Star ActiveStar ActiveStar ActiveStar ActiveStar Active
 

TekbirEkziston një polemikë e gjerë ndërmjet juristëve islamë (fukahave), si në kohët e hershme, por edhe tani, rreth çështjes së ngritjes së duarve gjatë tekbireve në namaz. Ky është edhe shkaku se pse reflektohet kjo polemikë edhe në praktikën e muslimanëve, që kohëve të fundit është e pranishme edhe në trojet tona. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të

shtojmë përçarjen apo diçka tjetër negative, por dëshirojmë të bëjmë me dije se në Islam çdo mospajtim nuk është përçarje. Prandaj janë disa çështje, ku lejohet të ketë mospajtim apo ndryshim të mendimeve ndërmjet dijetarëve dhe ai ndryshim të mos bëhet shkak që muslimanët të largohen nga njëri tjetri, apo të përçahen dhe të krijojnë armiqësi ndërmjet tyre.



Kjo çështje është shumë pak e njohur te muslimanët në përgjithësi dhe mosdija ndaj saj është e vërejtur gjithashtu edhe në vendin tonë. Prandaj, synimet kryesore të këtij shkrimi mund të përmblidhen në këto pika:

1. Qartësimi se, mospajtimi në këtë çështje, së pari, është evident dhe nuk mund ta injorojmë dhe ta asgjësojmë; pastaj, ky mospajtim është i lejuar dhe i pranuar te të gjithë fukahatë, për këtë assesi nuk lejohet që të krijojë përçarje dhe fitne, por duhet të trajtohet ashtu siç është trajtuar te dijetarët dhe te gjithsa ne kemi dëgjuar për ta. Prandaj muslimanët kanë nevojë të fitojnë kulturë dhe edukatë, ta shohin këtë lloj të ndryshimit të mendimeve si të natyrshme dhe të pranuar.

2. Të shohim se shkak i mospajtimit është numri i madh i transmetimeve që kanë ardhur nga i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, dhe sahabët e tij. Këto transmetime nuk janë përhapur te të gjithë muslimanët njësoj, kështu që, posaçërisht në kohët e mëhershme, disa hadithe që kanë qenë të njohura në një vend dhe dijetarët e atij vendi, nuk kanë qenë të përhapura në vendin tjetër1. Duke ia bashkangjitur kësaj, se ato transmetime nuk kanë qenë të njëjtit rang të vërtetësisë dhe besueshmërisë, për shkak se, siç e dimë, ekzistojnë hadithe të sakta, të mira, të dobëta, të shpifura etj.

3. Është e njohur te të gjithë muslimanët se në botë sot ekzistojnë katër medhhebe të pranuara që pasohen dhe dijetarët shkruajnë rreth çështjeve të fikhut duke i pasur për bazë qëndrimet, mendimet, përfundimet e këtyre shkollave, por thuajse të gjithë puqen në mendimin se, nëse ndonjë çështje, për të cilën ai hulumton, arrin në përfundim se, mendimi më i qëlluar dhe më i argumentuar është ndonjë mendim që nuk është mendimi i medhhebit të cilën ai ndjek, ai duhet të marrë mendimin që ka vërtetuar se është më i saktë2.

Sa e rëndësishme është njohja e kësaj dispozite në Islam.

Para se të fillojmë në shpjegimin e mendimit të dijetarëve, dëshirojmë të cekim një thënie të imam Neveviut si përgjigje ndaj atyre që thonë së kjo çështje është sunet dhe e thjeshtë, prandaj nuk lipset të humbasim kohë në qartësimin e saj, a të praktikohet apo jo.

Imam Neveviu thotë: "Dije se kjo çështje është me rëndësi të madhe, për shkak se çdo musliman ka nevojë për të gjatë ditës disa herë, posaçërisht kërkuesi i ahiretit, ai i cili fal namaze shumë, prandaj dijetarët i kanë kushtuar kujdes të veçantë kësaj çështje, derisa imam Buhariu shkroi një libër të tërë rreth kësaj çështjeje…"3 .

Prandaj trajtimi i dispozitave islame, duke bërë klasifikimin e tyre ndërmjet thelbit dhe lëvozhgës, ashtu si disa e bëjnë, është shpërfillje e mësimeve islame dhe porosive të shumta në të cilat ka thirrur Muhamedi, salallahu alejhi ve selem.Neve me këtë rast nuk dëshirojmë të nënvlerësojmë asnjë nga dispozitat e Allahut të Lartësuar apo edhe të stërmadhojmë ndonjë nga sunetet e Profetit, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, aq më pak në llogari të ndonjë farzi. Por dëshirojmë të cekim se secila dispozitë Islame, pa marrë parasysh rëndësinë, e ka vendin dhe pozitën e përcaktuar nga Allahu i Lartësuar dhe Resulullahu, salallahu alejhi ve selem, dhe ajo duhet ta mbajë atë vend. Kurse filozofia, e cila mbretëron te disa, që padyshim nuk cenohet qëllimi i mirë i tyre, se ne duhet t`i lirojmë muslimanët nga praktikimi i disa suneteve me qëllim të realizimit të objektivave më madhore në Islam nuk është aspak e qëndrueshme. Madje, është në kundërshtim me udhëzimin e Muhamedit (salallahu alejhi ve selem). Ai (salallahu alejhi ve selem) pothuajse të gjitha këto sunete, të cilat na janë përcjellur neve dhe që në syrin e dikujt mund të llogariten si lëvozhga të Islamit, ua ka mësuar sahabëve të tij në kohën kur Meka e shenjtë ishte e pushtuar nga mushrikët dhe kur Qabeja, kibla e muslimanve ishte e rrethuar me qindra idhuj që adhuroheshin.

Mendimet e dijetarëve në lidhje me këtë çështje.

Të gjithë dijetarët janë të mendimit se ngritja e duarve gjatë tekbirit fillestar është sunet, prandaj edhe shumë nga ata rrëfejnë se për këtë çështje ka ixhma (konsensus) .

Mospajtimi ndërmjet tyre është në ngritjen e duarve para shkuarjes në ruku, ngritjes nga rukuja dhe ngritjes nga ulja e parë për në rekatin e tretë, nëse është nga namazet tri rekatëshe apo katër rekatëshe.

Në këtë çështje dijetarët kanë dy mendime:

Mendimi i parë: Sunet është mosngritja e duarve.Ky mendim njihet nga dijetarët hanefit, është një nga thëniet e imam Malikut dhe es`habu re`jit (është fjala për dijetarët e Kufës dhe vendeve tjera të Irakut).

Mendimi i dytë: Ngritja e duarve është sunet, në këto tri vende6 . Ky mendim është i njohur nga shafijtë dhe disa dijetarëve të tjerë, të cilët do t'i përmendim më poshtë.

1.Mendimi i parë: Mosngritja duarve është sunet.

Mendimin e parë e përmbajnë këta dijetarë:

Fukahatë, të cilët përfaqësojnë këtë mendim, thonë se kjo transmetohet të jetë thënie e Abdullah b. Mesudit, Ali b. Ebi Talibit, Ebu Hurejres dhe disa sahabëve të tjerë.

Kurse nga dijetarët të tjerë të njohur: Imam Ebu Hanife së bashku me dy nxënësit e mëdhenj të tij Ebu Jusuf dhe Muhamed Haseni dhe të gjithë nxënësit e tjerë të tij, imam Maliku në njërën nga thëniet, Sufjan Theuri, Ibrahim Nehaiu, Bin Ebi Lejla dhe të gjithë dijetarët e Es`habu Rre`jit (me këtë term janë njohur dijetarët e Kufës dhe disa vendeve tjera të Irakut).

Argumentet e mendimit të parë:

1. Transmetohet nga Abdullah b. Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: "A dëshironi t'ua fal namazin e Resulullahit, salallahu alejhi ue selem. Ai ua fali atyre dhe nuk i ngriti duart vetëm se herën e parë (në tekbirin fillestar)" .

2. Transmetohet nga Bera b. Azib (sahabij i njohur) se i Dërguari, Bekimi dhe paqja qofshin mbi të, i ngrinte duart në fillim të namazit, pastaj nuk e përsëriste (ngritjen e tyre) .

3. Nëse kemi kundërshtime ndërmjet haditheve të Profetit, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, atëherë kanë thënë se të vepruarit me këto dy hadithe të sipërpërmendura (hadithi i Bin Mesudit dhe Bera Bin Azibit) kanë më shumë përparësi, sepse Bin Mesudi ka qenë transmetues i haditheve dhe dijetar (fakih), shoqërues i përpiktë me Profetin, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, i dinte rastet e tij dhe gjendjet, prandaj transmetimet e tij kanë përparësi nga transmetimet e të tjerëve (sahabëve) që nuk kanë qenë si ky.

4. Transmetohet nga Abdullah b. Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: "Jam falur pas Ebu Bekrit dhe Omerit dhe ata nuk i kanë ngritur duart, përveç se në fillim".

5. Transmetohet nga Ali b. Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i ngrinte duart në tekbirin fillestar, pastaj nuk i ngrinte në asnjë vend tjetër".

6.Transmetohet nga Xhabir b. Semure, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: I Dërguari thotë: "Pse jeni duke i ngritur duart si bishtat e kalit në diell? Qëndroni qetë në namaz".

7.Transmetohet nga Abdullah b.Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: "Mos i ngrini duart vetëm se në shtatë raste, në fillim të namazit, kur të kthehemi nga kibla, në Safa, në Merva, në Arafat,…".

8. Në librin "Euxhezil Mesalik ila Muveta - Imam Malik", Muhamed Zekiria Kandehleviu, përveç këtyre argumenteve të lartpërmendura, që i përmendin edhe dijetarët e tjerë në librat e tyre, përmend edhe dhjetëra transmetime nga Bin Abasi, Bin Mesudi, Ebu Hurejra, Bin Omeri, Aliu dhe nga dhjetë (sahabëve) të përgëzuar me xhenet, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, se nuk i ngrinin duart përveç se në fillim të namazit. Gjithashtu, të njëjtën e transmeton edhe nga disa tabiinë, që edhe ai pranon se në këto transmetime ka dobësi. Ai thotë se derisa me këto hadithe kanë punuar dijetarë si Ebu Hanife, dy nxënësit e tij dhe shumë dijetarë të Kufës dhe Imam Theuriu, ato tek unë janë të sakta.

9. Namazi në fillim kur është bërë i obliguar ishin të lejuara disa sende si biseda, kthimi i selamit, ecja, lëvizjet e ndryshme, pastaj dalëngadalë janë ndaluar këto gjëra që u përmendën dhe çdoherë që kemi transmetime kontradiktore si lëvizja e duarve apo moslëvizja, duhet të marrim atë që është më e afërt, qetësisë dhe jolëvizshmërisë.

Ekzistojnë edhe disa argumente me të cilat argumentojnë dijetarët e mendimit të parë (mosngritjes së duarve), por kryesisht këto ishin më të qëndrueshmet.

Mendimi i dytë: Ngritja e duarve është sunet.

Ky qëndrim vërtetohet me zinxhirë të transmetuesve nga këta sahabë: Abdullah b. Omeri, Abdullah b. Abasi, Xhabir b. Abdullahu, Ebu Hurejre, Abdullah b. Zubejri, Enes b. Maliku.

Përveç këtyre, transmetohet edhe nga Ali b. Ebi Talibi, Omeri, Uail b. Huxhur, Malik b. Huejrith, Sehl b. Sadi, Muhamed b. Mesleme, Ebu Musa, Xhabir b. Umej Lejthi dhe Ebu Seid Huderi.

Kurse nga tabiinët: Hasan Basriu,Atau, Tavusi, Muxhahidi, Salimi b. Abdullah, Said b. Xhubejri, Nafiu dhe të tjerë.

Dhe nga dijetarët: Abdullah b. Mubareku, imam Shafiu, Is`haku, imam Maliku në njërën nga thëniet e tij, Imam Ahmedi, Lejth b. Sadi, Ebu Theuri, imam Buhariu, Muslimi, Neveviu, Bin Haxheri dhe shumë dijetarë të tjerë.

Argumentet e mendimit të dytë:

1.Transmetohet nga Abdullah b. Omeri se ai ka thënë: "E kam parë Resulullahun, salallahu alejhi ue selem, kur falte namazin i ngrinte duart deri te supet, e bënte këtë kur bënte tekbirin për të shkuar në ruku, kur ngrihej nga rukuja dhe thoshte: 'Semiallahu limen hamideh', kurse kur shkonte në sexhde nuk i ngrinte (duart)".

Buhariu thotë, pas citimit të hadithit, se ka thënë Ali Medini, i cili ka qenë më i dituri i kohës së tij: "Është e nevojshme për muslimanët t`i ngrenë duart e tyre, për shkak të këtij hadithi." 2.Transmeton Halidi nga Ebu Kilabe se e ka parë Malik b. Huejrithin (sahab i njohur) kur falej, në tekbirin fillestar ngrinte duart, kur shkonte në ruku i ngrinte duart, kur ngrihej nga rukuja i ngrinte duart. Ai tregoi se i Dërguari, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, vepronte ashtu".

3.Transmeton Nafiu se, Bin Omeri, kur hynte në namaz, bënte tekbirin dhe ngrinte duart, kur shkonte në ruku ngrinte duart, kur thoshte 'semiallahu limen hamide' ngrinte duart dhe kur ngrihej nga rekati i dytë (pas uljes së parë dhe fillonte rekatin e tretë) ngrinte duart, pastaj tregoi se kështu vepronte i Dërguari, bekimi dhe paqja qofshin mbi të".

4. Transmeton Muhamed b. Amër b. Atau (ky ishte prej tabiinëve) derisa ishte ulur me një grup të sahabëve, u përmend namazi i Pejgamberit, pastaj tha Ebu Humejd Saidiu (ky është sahab) se ka thënë në prani të këtyre sahabëve - ndër ta (sahabët) ishte edhe Ebu Katade - do t`ua tregoj formën e namazit të Resulullahit, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, ata thanë: na e trego: …( hadithi është i gjatë, në të përshkruhet forma e namazit e të Dërguarit dhe përmendet se i ka ngritur duart gjatë tekbirit fillestar, shkuarjes në ruku, ngritjes nga ajo dhe kur ngrihej për në rekatin e tretë). Ata sahabë që ishin të pranishëm ia vërtetuan këtë formë të namazit me ngritjen e duarve".

5. Transmetohet nga Ali b. Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, kur falte namazin bënte tekbirin fillestar dhe i ngrinte duart deri te supet dhe vepronte ashtu kur përfundonte leximin e donte të shkonte në ruku, kur ngrihej nga rukuja, kurse nuk i ngrinte duart kur ishte ulur (në sexhde) dhe kur ngrihej për në rekatin e tretë vepronte ashtu (pra i ngrinte duart)" .

6. Nga Enes Bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i ngrinte duart para se të shkonte në ruku, gjithashtu e njëjta transmetohet nga Ebu Hurejre.

7.Transmetimet për ngritjen e duarve janë të shumta. Imam Buhariu e shkroi një libër ku përmend shumë transmetime nga sahabë, tabiinë dhe dijetarë për ngritjen e duarve. Aty përmend se këto transmetime arrijnë shkallën e mutevatirit22 , gjithashtu edhe Imam Bejhakiu përmbledh një numër të konsiderueshëm transmetimesh, kurse ne po mjaftohemi me këto argumente që i përmendëm.

Përgjigjet e mendimit të parë ndaj argumenteve të mendimit të dytë:

Dijetarët që kanë shprehur qëndrimin se nuk është sunet ngritja e duarve në këto tri vende1, u janë përgjigjur argumenteve të mendimit të dytë kështu:

1. Të gjitha hadithet ku tregohet për ngritjen e duarve, edhe pse janë të sakta dhe të transmetuara në koleksionin e Buhariut dhe Muslimit, konsiderohen të anuluara (mensuh) përmes haditheve të lartpërmendura, që prej tyre përmenden si argumente. Bëhet fjalë për hadithin e Ibën Mesudit, Bera b.Azib dhe tërë hadithet e përmendur prej tyre si argumente.

2. Duke qenë se, në këtë rast, kemi kundërshtim të haditheve (pra, disa aludojnë në ngritjen e duarve, disa në mosngritjen), përparësi duhet të kenë ato hadithe që tregojnë mosngritjen, për shkak se, nëse është e vërtetë ngritja e duarve, atëherë ne vetëm kemi lënë një sunet (që është ngritja e duarve), ndërkohë që, nëse ndodh e kundërta (nëse mosngritja e duarve është e sakta), atëherë ne kemi bërë bidat - risi (me ngritjen e duarve) dhe, sipas tërë dijetarëve, lënia e sunetit ka më përparësi sesa kryerja e bidatit, arsye për të cilën edhe i jepet përparësi mosngritjes së duarve.

Këto ishin përgjigjet (mendimi i dytë) që dijetarët përmendin kryesisht në librat e tyre  ndaj mendimit të parë.

Përgjigjet e mendimit të dytë ndaj argumenteve të mendimit të parë:

Në vazhdim do të shohim edhe përgjigjet ndaj argumenteve të mendimit të parë, duke filluar nga hadithet me të cilat kanë argumentuar ata.

1.Së pari, sa i përket hadithit të parë nga Ibën Mesudi, mund të themi se ky është argumenti më i fortë që mund të gjendet rreth mosngritjes së duarve. Në vazhdim do të shohim se çfarë kanë thënë dijetarët rreth këtij hadithi.

Këtë hadith Tirmidhiu e ka bërë hasen (të mirë) dhe Ibën Hazmi thotë se është i vërtetë. Kurse nga dijetarët bashkëkohorë, Ahmed Shakir e cilëson hadithin të saktë. Gjithashtu, edhe muhadithi i njohur bashkëkohor, Muhamed Nasirudin Albani, këtë hadith e quan të saktë.

Të gjithë muhadithinët e tjerë, përveç këtyre që përmendëm, e konsiderojnë këtë hadith të dobët dhe s'pranojnë të punojnë me të. Bejhekiu na bën të ditur se Abdullah b. Mubareku ka thënë: "Hadithi i Ibën Mesudit tek unë s'është i vërtetuar". Buhariu e vlerëson këtë hadith të dobët dhe në librin e tij "Reful jedejni fi salat" tregon se e kanë cilësuar si të dobët Ahmed b. Hanbeli, Jahja b. Ademi; e konsiderojnë të dobët, gjithashtu, Darekutni, Bejhakiu, Ebu Daudi etj., kurse Ibën Hibani thotë: "Ky hadith është më i forti me të cilën dijetarët e Kufës mund të argumentojnë për mosngritjen e duarve në namaz,por në realitet ky hadith është më i dobëti, e s'mund të bazohemi në të, për shkak se ka dobësi të shumta. Ata dijetarë që e kanë dobësuar këtë hadith e kanë bërë për shkak se në zinxhirë gjendet Asim Ibën Kulejbi".

Ibën Ebi Hatim në librin "Kitabul Ilel" thotë: "E kam pyetur babain tim në lidhje me hadithin e Ibën Mesudit... dhe më tha se është gabim".

Nga ajo që u tha pak më parë rreth këtij hadithi, kuptuam se një numër i madh dijetarësh të hadithit e cilësojnë këtë hadith si të dobët dhe s'lejojnë të punuarit me të, për aq sa ky hadith është në kundërshtim me hadithet e tjera, që janë shumë më të forta për nga besueshmëria, vërtetësia dhe nga numri. Por, edhe nëse e pranojmë si të vërtetë këtë hadith, Zejleiu (nga dijetarët hanefi) përcjell se dijetarë tjerë kanë thënë se s'është çudi nëse Ibën Mesudi e ka harruar këtë (së ngritja e duarve në këto vende ishte praktikë e Profetit, salallahu alejhi ve selem), për shkak se nga ai, Ibën Mesudi, transmetohet se kishte harruar se dy suret e fundit (sureja Felek dhe Nas) janë pjesë (sure) nga Kur'ani, por mendonte se ishin vetëm nga lutjet e Profetit, salallahu alejhi ve selem, pastaj ai kishte harruar formën e saktë të rukusë, po ashtu, ai kishte harruar se Profeti, salallahu alejhi ve selem, kishte falur namazin e sabahut në ditën e Bajramit me kohë (në haxh), sikundërse kishte harruar se si të radhiten dy vetë në saf (resht) pas imamit dhe disa raste e vepra të tjera. Prandaj, nëse Ibën Mesudi veçohet me këtë vepër, atëherë përparësi kanë vepra e shumicës së sahabëve, të cilët e kanë praktikuar ngritjen e duarve, siç vërtetohet pa kurrfarë dyshimi nga një numër i konsiderueshëm sahabësh.

Pastaj, edhe nëse është e vërtet që Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka falur namazin duke mos i ngritur duart, atëherë kjo ka ndodhur në ndonjë rast specifik, pasi në esencë është ngritja, ashtu si vërtetojnë shumica e sahabëve të tjerë, të cilët janë pa dyshim njohës të fortë të sunetit të Profetit, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sikurse Ibën Omeri, Ibën Abasi,Vaili etj. Buhariu thotë se transmetimet e ngritjes së duarve në këto vende arrijnë tevaturin.

Këtë mund ta themi vetëm në rast se gjykojmë se hadithi është i saktë, por siç vërejtëm, hadithi cilësohet i dobët nga shumë muhadithinë, që konsiderohen bazë në këtë fushë, të cilët shpjegojnë edhe arsyet pse është i dobët.

2. Sa i përket hadithit të dytë të Bera b. Azib, imam Neveviu thotë: "Përgjigja rreth argumentimit lidhur me hadithin e Bera b. Azibit, është me disa pikëpamje. E para: Është ajo përgjigje që ia kanë bërë imamët e shkencës së hadithit dhe hafizat e tij (hadithit) se hadithi është i dobët me pëlqimin e të gjithëve, prej tyre ka që e kanë cituar se është i dobët, siç janë: Sufjan b. Ujejne, imam Shafiu, Abdullah Humejdi (mësuesi i Buhariut), Ahmed b. Hanbeli, Jahja b. Meini, Darimiu, Buhariu dhe të tjerë nga të vjetrit (dijetarë), që konsiderohen baza e hadithit e dijetarë të tij. Kurse nga dijetarët më të rinj ka shumë.Shkak përse hadithi është i dobët është se në zinxhirin e transmetimit është Jezid b. Ebi Zijadi. Ibën Ujejne (dijetar i hadithit) thotë se Jezid b. Ebi Zijadi (që është një nga personat në zinxhirin e transmetimit) më ka transmetuar këtë hadith pa fundin "…, pastaj nuk e përsëriste (ngritjen e tyre)". Kur erdhi në Kufë, e dëgjova që e përmendte hadithin, duke i bashkëngjitur edhe këtë pjesë të fundit. Dhe mendoj se ata të Kufës i kanë thënë ta shtojë atë".

Kurse Humejdi (mësuesi i Buhariut) thotë se transmetuesi Jezid b. Ebi Zijad, nga fundi i jetës humbi përpikërinë në mbajtjen mend dhe i ngatërroheshin (hadithet)". Të njëjtën gjë pohon edhe Shafiu, Darimiu, Ahmed ibën Hanbeli etj.

3. Argumenti i tretë, gjithashtu, nuk është i saktë, për shkak se pretendimi se Abdullah b. Mesudi është më i dijshëm se disa sahabë, të cilët transmetojnë ngjarjet dhe veprat e Profetit, salallahu alejhi ue selem, edhe nëse themi se kjo është e vërtetë, themi se transmetimi i Ibën Mesudit nuk është i vërtetuar, siç janë transmetimet e tjera. Gjithashtu, më shumë se dhjetëra sahabë transmetojnë me saktësi se Profeti i ngrinte duart dhe kjo, pa dyshim, ka përparësi nga ajo që pretendohet, duke i bashkangjitur se, ndër ta, është edhe Abdullah b. Abasi (që konsiderohet nga më të diturit prej sahabëve), pastaj Abdullah b. Umeri, për të cilin Buhariu me zinxhir të saktë transmeton në librin e tij "Reful jedejni" se kur shihte ndonjë njeri që nuk i ngrinte duart gjatë shkuarjes në ruku dhe kur ngrihej nga ajo e gjuante me gurë."

4-5. Përa i përket hadithit të Aliut dhe hadithit të Ibën Mesudit se është falur pas Ebu Bekrit, Umerit… janë të dobët. Dijetarët që e kanë cilësuar të dobët hadithin e Aliut janë: Buhariu, Sufjan Theuriu, Bejhakiu, Darimiu, të cilët thonë se transmetimi i këtij hadithi me këtë zinxhir të transmetimit është jo i saktë." Gjithashtu, edhe Shafiu thotë se nuk janë të sakta që Aliu dhe Ibën Mesudi janë falur duke mos i ngritur duart, vetëm në tekbirin fillestarë. Duke pasur parasysh se nga Aliu transmetohet e kundërta, se i ka ngritur duart në këto vende, siç cekëm hadithin që e transmeton, Tirmidhi dhe e sheh të vërtetë.

6. Argumentimi me hadithin që është në sahihun e Muslimit nga Xhabir b. Semure nuk është me vend dhe nuk ka të bëjë fare me çështjen e ngritjes së duarve në këto vende që ne po i diskutojmë. Këtë e kanë sqaruar në librat e tyre të gjithë ata që kanë folur për këtë çështje: imam Buhariu, Neveviu dhe të tjerët, për shkak se ai rast, për të cilën ndalon Profeti ngritjen e duarve, është në uljen e fundit gjatë dhënies selam, ashtu siç ka qenë e njohur në fillim. Kjo vërtetohet me transmetimin e po të njëjtit hadith te Muslimi me transmetim tjetër nga i njëjti sahabi, Xhabir b. Semure, kur thotë: "Kur faleshim me Resulullahun, salallahu alejhi ue selem, dhe thonim: "Selam alejkum ue rahmetullah", bënim me dorë nga të dy anët. Atëherë Profeti na tha: "Kujt po i bëni me dorë si bishtat e kuajve në diell, ju mjafton vetëm të vendosni dorën në kofshë dhe t'i jepni selam atij që është në anën e djathtë dhe të majtë." Kështu transmeton Muslimi dhe ky hadith nuk ka të bëjë fare me çështjen që po diskutohet këtu, prandaj argumentimi me të nuk është me vend.

7. Hadithi i Ibën Abasit është i dobët për shkak se është hadith i shkëputur; atë e transmeton tabini direkt nga Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, e ky hadith quhet Mursel. Hejthemiu përmend se hadithi është i dobët; gjithashtu Zejleiu dhe të tjerët e cekin, duke vlerësuar se hadithi në këtë formë është garib. Zejleiu përcjell se ajo që vërtetohet nga Ibën Abasi është ngitja e duarve.

8. Pretendimi i dijetarit të njohur Muhamed Zekeria Kandehlevi (Allahu e mëshiroftë) nuk është i saktë, për shkak se, nëse ne pranojmë çdo transmetim me të cilën dikush nga ulematë ka punuar me të, atëherë s'do të kishte kurrfarë efekti zinxhiri i transmetimeve dhe shkenca e cila studion vërtetësinë (besueshmërinë) e transmetuesve (Ilmu xherhi ue ta`dil). Prandaj, çdo njeri, edhe nëse është dijetar, mund të qëllojë e të gabojë dhe thënia e asnjërit prej tyre nuk merret pa u peshuar me fjalë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

9. Është e vërtetë se në namaz në fillim ishin të lejuara disa gjëra që më vonë u ndaluan, si kthimi i selamit etj. Por të gjitha këto dihen se janë ndaluar me argumente të qarta, qoftë nga Kur'ani, siç është rasti i ndalimit të të shikuarit kah qielli (lart) në namaz (kjo është ndaluar me ajet), qoftë nga hadithi. Dhe, për secilën vepër që ne pretendojmë se është ndaluar më vonë, pasi ka qenë e lejuar më parë, kemi nevojë për argument të qartë dhe të prerë. Në këtë rast, argumentet e sakta dhe të prera aludojnë të kundërtën, se ngritja e duarve është sunet. Prandaj, një pretendim i tillë është vetëm një paragjykim i pabazë.

Përgjigjja ndaj pretendimit se të gjitha hadithet që tregojnë ngritjen janë të anuluara (deroguara):

Thënia se hadithet që transmetojnë ngritjen janë të anuluara (deroguara) me hadithet e sipërpërmendura, është gjithashtu pretendim që s'ka bazë të shëndoshë, për shkak se, për t'u anuluar një vepër apo një hadith, duhet të përmbushen patjetër disa kushte, siç janë: të dihet saktësisht se hadithi i cili anulon hadithin e parë duhet të jetë më i vonshëm, e që kjo nuk është realitet i këtyre haditheve, siç vërehet në argumentin e katërt, të cilin e transmeton Buhariu, ngjarja ka ndodhur pas vdekjes së Profetit, salallahu alejhi ue selem.

Pastaj, hadithi me të cilin anulojmë hadithin e mëparshëm, duhet të jetë gjithashtu i saktë, kurse hadithet me të cilat pretendohen se kanë anuluar hadithet që gjenden te Buhariu, Muslimi dhe koleksionet tjera, të gjithë dijetarët e hadithit i kanë cilësuar të dobët, përveç hadithit të Abdullah b. Mesudit, për të cilin kemi përmendur se Tirmidhiu e sheh si të mirë dhe Ibën Hazmi si të saktë, ndërsa gjithë dijetarët tjerë e cilësojnë si të dobët. Dhe nuk ka asnjë dyshim se ky hadith nuk mund të anulojë ato hadithe për të cilat ka konsensus në vërtetësinë e tyre nga dijetarët.

Kësaj mund t'i shtojmë edhe faktin se Hasan Basriu dhe Humejd Hilali rrëfejnë se ngritja e duarve ishte praktikë e të gjithë sahabëve dhe nuk e përjashtuan ata askënd nga kjo (as Abdullah b. Mesudin)17. Bejhekiu transmeton hadithin se Profeti, salallahu alejhi ve selem, i ngrinte duart në këto vende (çka është i vërtetë); ai shton se Profeti, salallahu alejhi ve selem vazhdoi me këtë vepër (pra, me ngritjen e duarve) derisa vdiq.

Përfundimi rreth argumenteve të të dy mendimeve



Deri këtu lexuam argumentet e të dy palëve rreth kësaj çështjeje, gjithashtu edhe përgjigjet ndaj argumenteve të secilës palë, që përmendin dijetarët e nderuar në librat e tyre. Mendoj se kuptuam se mospajtimi në këtë çështje është i gjerë dhe, siç thamë në fillim, qëllimi ynë ishte ngritja e vetëdijes te muslimanët e trojeve tona se mospajtime të tilla kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë edhe më tej dhe ne nuk do të mundemi t'i vëmë kapak syresh, përderisa nuk kanë arritur ta bëjnë edhe ata që kanë qenë shumë më të ditur dhe më të devotshëm se ne.

Më në fund nuk na mbetet vetëm të theksojmë se mendimi më i qëndrueshëm rreth kësaj çështjeje është mendimi i dytë; se është sunet ngritja e duarve gjatë tekbireve në këto tri vende, për shkak të fuqisë së argumenteve dhe përgjigjeve që i kanë dhënë ndaj argumenteve të mendimit të parë. Dhe kjo gjatë shtjellimit mjaft qartë është vërejtur. Por kjo nuk do të thotë se e injorojmë dhe e mospërfillimin mendimin tjetër për shkak se këtë mendim e kanë përmbajtur dijetarët për të cilët ka dëshmuar umeti për dijen e tyre.

Prandaj, çdo tendencë e përkrahjes apo e ndihmesës së njërit mendim me fanatizëm, anim të padrejtë, pretendime të pa argumentuara, në anën tjetër duke mos përfillur, fyer apo injoruar mendimin tjetër është zullum dhe përçarje.

Kjo s'do të thotë që mos të këshillohemi dhe diskutojmë për këto gjëra, por kur të bëhet kjo, le të bëhet pa paragjykime dhe tendenca.

Prandaj, këshilla jonë ndaj të gjithë atyre që ballafaqohen me vëllezërit e tyre në këso mospajtimesh, është që të kuptojnë se mospajtimi në gjërat e tilla ish evidente edhe te dijetarët, por kjo s'ndikoi në largimin nga njëri-tjetri. Prandaj kërkohet nga ata të tregojnë mirëkuptim, mëshirë dhe t'u largohen grindjeve, nxitjes së përçarjes dhe fitnes dhe ta kursejnë këtë gjallërim të rinisë islame te ne.

Alaudin ABAZI

 

Mburoja e Myslimanit