E Hënë, Maj 21, 2018
A- A A+

Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit

User Rating: 0 / 5

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 


Agjërimi i një muaji është i barabartë (në sevape) me agjërimin e dhjetë muajve, ndërsa agjërimi i gjashtë ditëve pas është i barabartë me agjërimin e dy muajve dhe kështu plotësohet një vit i plotë

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Allahu i Madhëruar e  bëri detyrë për ata të cilët kanë besuar, agjërimin e muajit të Ramazanit, ndërsa i dërguari i Tij, alejhi selam, e ligjësoi agjërimin në muajin para tij, në muajin Shaban.


Transmetohet se Aishja, radiallahu anha, ka thënë: “S’ka agjëruar Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ndonjë muaj tjetër ashtu siç agjëronte në muajin Shaban. Ai e agjëronte krejtësisht këtë muaj përveç disa (pak) ditëve”. Buhariu dhe Muslimi. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, gjithashtu e ligjësoi agjërimin në muajin pas tij, në muajin Sheval. Ebu Ejubi, radiallahu anhu, prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem,transmeton të ketë thënë: “Ai që agjëron Ramazanin dhe e pason duke agjëruar gjashtë ditë nga Shevali është sikur të ketë agjëruar pandërprerë.” Transmeton Muslimi.
Shembulli i agjërimit në këto dy muaj është si shembulli i faljes së suneteve të forta që mund të jenë para ose pas namazit farz. Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe gjashtë ditë të muajit Sheval është sikur të ketë agjëruar tërë vitin dhe kush e vazhdon këtë gjithmonë (çdo vit) është sikur të ketë agjëruar tërë jetën. Kjo është një mirësi prej Allahut për atë person i cili kur del nga ibadeti dëshiron që të kthehet sërish në ibadet.
Dhe kjo mund të jetë shkak që ai të përfitojë shpërblime madhështore me disa punë të lehta që kryhen pas ibadeteve, ashtu siç është shembulli i dhikrit pas namazit. Kur muslimanët e varfër të Medinës  u ankuan tek Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se vëllezërit e tyre pasanikë po ua kalonin në sevape. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u tha atyre: “A doni t’ju mësoj diçka që t’i arrini ata që jua kanë kaluar juve dhe t’i tejkaloni ata që janë pas jush, e s’do të jetë askush më i mirë se ju, përveç atij që do të veprojë siç veproni ju?” Thanë: “ Posi jo, o i Dërguari i Allahut”. Atëherë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Të thoni Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu ekber, 33 herë pas çdo namazi…”
Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve është mustehab (i pëlqyeshëm).
Agjërimi i këtyre ditëve mund të fillojë që ditën e dytë të muajit Sheval, pasi siç dihet në ditën e Bajramit nuk lejohet agjërimi i çdo lloji qoftë. Këto ditë mund t’i agjërosh të bashkuara apo veç e veç, gjithashtu mund t’i agjërosh në fillim, në mes, apo në fund të muajit. Të gjitha këto i vërteton fjala e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “…dhe e pason duke agjëruar gjashtë ditë nga Shevali…” (siç shihet nuk është përcaktuar as mënyra, as koha e agjërimit të këtyre gjashtë ditëve). Domethënia e fjalës së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “…është sikur të ketë agjëruar pandërprerë…” është se i shkruhen sevapet sikur të agjëronte çdo ditë të vitit, pa prishur qoftë edhe një ditë të vetme. Transmetohet nga Theubani, radiallahu anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi i një muaji është i barabartë (në sevape) me agjërimin e dhjetë muajve, ndërsa agjërimi i gjashtë ditëve pas është i barabartë me agjërimin e dy muajve dhe kështu plotësohet një vit i plotë”. (Qëllimi është për muajin e Ramazanit dhe për gjashtë ditët e muajit Sheval) Transmeton Darimiu në “Sunenin” e tij. Kjo ngaqë një e mirë shpërblehet me dhjetë të mira. Fjala e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “…sikur të ketë agjëruar pandërprerë…” nuk bie ndesh me hadithet e shumta që e ndalojnë këtë lloj agjërimi, sepse krahasimi në këtë rast nënkupton se ai i cili dëshiron të arrijë shpërblimin e agjërimit të pandërprerë le të agjërojë gjashtë ditë nga Shevali dhe nuk e lejon (ligjëron) agjërimin pandërprerë.
Dihet se agjërimi i ditëve të mbetura kaza nga Ramazani është detyrë më kryesore, ndërsa agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është nafile (sunet), vetëm nëse njeriu ia bën detyrë këtë vetes së tij me anë të zotimit (nedhr).
Nëse njeriu mund t’i plotësojë ditët e mbetura kaza nga Ramazani dhe pastaj të agjërojë gjashtë ditët brenda Shevalit, le ta bëjë një gjë të tillë, por nëse frikësohet se nëse i agjëron gjashtë ditët e Shevalit nuk mund t’i kompensojë ditët e mbetura nga Ramazani (deri në Ramazanin e ardhshëm), atëherë ky person duhet të plotësojë ditët e mbetura kaza.
Nëse nuk është e mundur të agjërojë gjashtë ditët e Shevalit bashkë me ditët e mbetura kaza dhe shpreson se në ditët e tjera të vitit (para se të vijë Ramazani tjetër) ka mundësi t’i plotësojë këto ditë, atëherë i lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit edhe pse s’ka agjëruar ditët e mbetura kaza. Në këtë rast lejohet vonimi i kompensimit të Ramazanit, sepse koha e gjashtë ditëve është e përcaktuar, brenda Shevalit, ndërsa agjërimi i ditëve të mbetura kaza e ka kohën më të gjerë dhe të papërcaktuar brenda vitit, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “…atëherë (le t’i agjërojë) më vonë aq ditë …” Bekare, 184.
Një vonesë e tillë e kompensimit mund të justifikohet vetëm në rast të punës që ka dhe mospasjes mundësi për kompensim sa më të shpejtë.

Marruar nga:

http://www.albislam.org

Mburoja e Myslimanit