E Hënë, Dhjetor 16, 2019
A- A A+

I kam dy pyetje për nijetin e namazit dhe për abdesin.

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

 

Pyetje

 

 


Selam alejkum Hoxhë i nderuar,

I kam dy pyetje për nijetin e namazit dhe për abdesin.

Pyetja 1. hoxhë a duhet kur falim namaz vetëm dhe me imam te bëjmë nijet me zë apo me zemër nijeti me zemër nuk duhet me thënë me gojë asgjë apo çfarë duhet bërë.

dhe pyetja 2.a prishet abdesi kur rrjedh gjak prej ndonjë vendi në trup. P.sh prej ndonjë plage apo prej dhëmbëve .

 

Selam alejkum Hoxhë Allahu ju shpërbleftë juve dhe gjithë myslimanët me xhenet.

 

 

Përgjigje:

Falënderimi i takon Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Pejgamberin ,familjen e tij ,shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Bërja e nijetit me zë qoftë në namaz, abdes, apo agjërim nuk është e lejuar. Sepse vendi i nijetit është zemra. Njeriu kur vjen në namaz vjen me nijet të namazit. Po ashtu kur ngritët me marr abdes, nijeti i tij është që të marr abdes dhe nuk ka nevojë që të thotë e bëra nijet që të marr abdes sikur që nuk ka nevojë të thotë e bëra nijet me fal namazin, ose e bëra nijet për agjërim dhe të ngjashme me këtë. I Dërguari i Allahut thotë: “ veprat shpërblehen sipas qëllimit dhe secili njeri merr atë për të cilën ka bërë nijet”. I Dërguari i Allahut dhe shokët e tij nuk e kanë shqiptuar nijetin me gojë, as në namaz e as në abdes. Atëherë ne duhet ti pasojmë ata dhe të mos shpikim në fenë tonë gjëra që nuk ka urdhëruar Allahu e as Pejgamberi. Sepse i Dërguari i Allahut ka thënë: “ kush punon ndonjë vepër që nuk kemi urdhëruar ne ajo është e refuzuar”. Pra nga ky hadithe bëhet e qartë se shqiptimi i nijetit me zë llogaritet prej bidateve, risive në fe.

Ndërsa sa i përket pyetjes së dytë se a e prish rrjedhja e gjakut abdesin apo jo mund të themi:

Gjërat që e prishin abdesin janë dy lloje. Gjërat për të cilat të gjithë dijetarët janë unanim se e prishin abdesin dhe gjërat për të cilat dijetarët nuk janë të një mendimi se a e prishin abdesin apo jo.

Gjërat të cilat e prishin abdesin te të gjithë dijetarët janë:

  • Ajo që del prej dy vrimave, organit gjenital dhe zorrës së trash si urina, sperma, jashtëqitja, gjaku që del prej këtyre dy vrimave. Gjaku që del prej organit gjenital të femrës si gjaku i menstruacioneve, gjaku pas lehonisë, apo gjaku i çrregullimeve, si dhe lëshimi i gazrave.

  • Humbja e mendjes, si çmenduria, humbja e vetëdijes etj,

  • Dehja qoftë me alkool apo me gjëra narkotike.

  • Gjumi duke qenë i mbështetur, përveç nëse ai gjumë është shumë i lehtë.

Ndërsa gjërat për të cilat dijetarët nuk janë në ujdi se a llogariten prej gjërave që e prishin abdesin apo jo janë:

  • Ajo që del prej trupit prej ndonjë vrime tjetër jashtë atyre që cekëm më lartë, si gjaku, lengu nga hunda dhe vjellja.

  • Ngrënia e mishit të devës.

  • Prekja e organit gjenital.

  • Prekja e gruas me epsh.

  • Pastrimi i të vdekurit.

Ndërsa sa i përket rrjedhjes së gjakut mendimi më i saktë është se ai nuk e prish abdesin, qoftë rrjedhje e pakët apo e shumtë. Thotë hoxha i nderuar Sa’di ( Allahu e mëshiroftë) : “ e vërteta është se gjaku, vjellja dhe të ngjashme me të nuk e prishin abdesin, qoftë shumë apo pak, sepse nuk ka ndonjë argument që tregon se gjaku e prish abdesin, andaj mbetet esenca e pastërtisë”.

Dijetari i njohur Salih b. Fevzan El-Fevzani thotë: “ Dalja e gjakut nga trupi nuk e prish abdesin, në çfarëdo forme që del, me qëllim apo pa qëllim. Çoftë prej dhëmbëve, hundës, hixhamit apo plagëve. Shevkani në librin e tij “ Sejlul xherar” thotë: “ Është vërtetuar në transmetime të vërteta se i Dërguari i Allahut zbriti në disa lugina dhe tha kush na ruan neve sonte? Një njeri prej Muhaxhirve dhe një prej Ensarve u ngritën për të vendosur roje dhe e ndan natën për të ruajtur. U ngrit njeriu prej Ensarve dhe falej natën kur erdhi një njeri prej armiqve, e gjuajti Ensarin me shigjetë dhe e goditi atë. Ensari hoqi shigjetën dhe filloi me namazin e tij. Ai e gjuajti me të dytën. Ensari prap veproi sikur për të parën herë. Pastaj e gjuajti me të tretën, Ensari e hoqi dhe shkoi në ruku, në sexhde dhe e përfundoi namazin e tij. Pastaj e zgjoi shokun e tij dhe kur shoku i tij e pa në këtë gjendje i tha pse nuk më ngrite kur të gjuajti herën e par? Tha: Isha duke kënduar një kaptin të Kuranit dhe nuk kisha dëshirë të shkëputem nga ajo”. Imam Neveviu ka thënë: “ ky është një argument që dëshmon se prej këtij Ensari doli gjak shumë, megjithatë ai vazhdoi në namazin e tij. Sikur gjaku ta prishte abdesin atij nuk do ti lejohej që të bëj ruku dhe sexhde dhe ta plotësoj namazin pas daljes së gjakut. I Dërguari i Allahut e diti për këtë dhe nuk e mohoi apo kundërshtoi një gjë të tillë.

Pra dalja e gjakut jashtë dy vrimave që u cekën më lartë sipas mendimit më të saktë nuk e prish abdesin. Ka thënë Hasen El-Basriu: “ myslimanët vazhdojnë të falen me plagët e tyre”. Nga Xhabir b. Abdullah transmetohet se i Dërguari i Allahut ka qenë në betejën e quajtur “ Dhate Rrika” dhe një njeri goditi me një shigjetë dhe filloi ti rrjedh gjaku ai ra në sexhde dhe vazhdoi me namazin e tij”. Ibën Umerit i shpërtheu një puçërr, doli prej saj gjak dhe ai nuk e përsëriti abdesin.

Pra sipas këtyre argumenteve që cekëm dalim me përfundimin se gjaku nuk e prish abdesin.

Allahu e di më së miri.

Mburoja e Myslimanit