E Martë, Nëntor 19, 2019
A- A A+

Kam nje pyetje ne pune ti fali vetem farzin apo edhe sunnetin?

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

Selamu alejkum jam në punë dhe si zakonisht në vend pune nuk me jepet e drejta të fali namazin e drekës ikindisë në kohën verore kurse në kohën dimërore edhe koha e namazit te akshamit me mbetet pa e fale në kohën e caktuar. Si mund ti fali këto namaze që më kanë kaluar? P.sh.: namazi i drekës synet – farz – synet apo vetëm farzin edhe pse janë mbledh thuaj se tri kohë të namazit më tregoni disi më gjerësisht. Ju faleminderit, selamu alejkum.

 

Përgjigje:

Falënderimi i takon Allahut, ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Pejgamberin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Alejkum selam vëlla i nderuar, me vjen mire që shpreh kujdesin tuaj dhe interesin për faljen e namazit. Namazit kurrsesi nuk lejohet ti del koha, sepse Allahu ka thënë në Kuran: ´´Namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar´´ (Kuran, Nisa, 103).

Për secilin namaz Allahu ka bërë kohë të caktuar dhe sikur të donte Allahu do ta bënte që të gjitha namazet të bashkohen në një kohë, në mbrëmje apo në ndonjë kohë tjetër, por urtësia e Tij ka bërë që namazet të kenë një distancë kohore në mes tyre dhe të ruhet koha e çdo namazi. Arsyet për faljen e namazit jashtë kohës se tij janë vetëm gjumi dhe harresa. Nëse ke fjet gjatë një kohe te namazit dhe nuk te ka dal gjumi deri sa ka hy koha tjetër, atëherë kur të të del gjumi atëherë e falë namazin sepse  për ty atëherë është koha e tij. Po ashtu vepron edhe atëherë kur harron. Ndërsa ne asnjë mënyrë tjetër nuk lejohet ti dal koha e namazit qoftë së paku bile faljen e farzit, e që nuk zgjat me shumë se pesë minuta, e normal secili punëtor ka  një pauzë prej gjysmë ore apo me shumë në punë. Andaj namazi nuk duhet të lihet qoftë edhe me rrezikim të vendit të punës dhe duhet te kërkosh një punë ku keni mundësi të falni namazin. Pastaj kjo gjë lidhet edhe me atë se sa jeni punëtor i zellshëm dhe besnik në punën tuaj qe e bëni. Dhe nëse  shefi juaj ju do dhe e di se ti je  një njeri besnik, dhe gjithashtu të tjerët kanë siguri te ti, atëherë edhe shefi nuk do te merrte aq lehtë një vendim te tillë për largimin tënd nga puna. Pastaj, ai që ka frikë Allahun, Allahu i gjen rrugëdalje atij dhe ai qe mbështet në Allahun, Allahu do ti mjaftoj atij. Duhet të dijmë ne myslimanet se  haku i Allahut, apo obligimi i Allahut është primar ndaj çdo obligimi, dhe nëse bie ndesh obligimi i Allahut me obligimet e njerëzve automatikisht i jepet prioritet obligimeve të Allahut pastaj obligimeve tjera. Përkujto begatinë e Allahut ndaj teje dhe  mundësitë që ti ka dhëne për të qenë i aftë për të punuar. Mendo ata qe nuk i kanë ato begati, mendo ata që nuk kanë sy nuk kanë duar nuk janë te aftë për pune, nuk mund të gjejnë punë. Andaj myslimani duhet të ketë frikën Allahun dhe mos të mendoj asnjëherë në lënien e namazit qoftë edhe nëse i pengohet një gjë e tillë. Furnizimi yt nuk është në dorën e filan firmës e as në dorën e filan  shefit, por është në dorën e Allahut. Andaj dije se nëse shefi të ka larguar nga puna për shkak të namazit atëherë Allahu të ka marr nën mbrojtjen e Tij, dhe në kujdesin për furnizim. Shefi nëse një herë, dy apo tri nuk kryen një punë si duhet ka mundësi të të largoj nga puna e çka mendon nëse Allahu të largon nga mëshira e Tij për shkak të mos kryerjes së obligimeve të Tij. Prandaj një grua myslimane që kishte besim të thellë në Allahun dhe dëshironte ta dërgoj burrin e saj ne luftë pasi që nuk i kishte mbet ndonjë mashkull në shtëpi qe te kujdeset për të, të tjerët e qortuan duke i thënë se kush do të kujdeset për ty pastaj, kush do ta sjell furnizimin. Gruaja e cila kishte ngulitur thellë në zemrën e saj besimin në Allahun iu drejtua me këto fjalë: " Mjerë për ju! unë burrin tim asnjëherë nuk e kam llogaritur furnizues, por një njeri që më sjellë furnizimin e Allahut në shtëpi. Andaj nëse ai që më sjell furnizimin vdes atëherë Furnizuesi ( Allahu) nuk vdesë. Pastaj një gjë që është shumë e vërtetë është edhe ajo se shumë nga myslimanët kur i pyesim për namazin e tyre thonë se ne nuk mundemi të falem se nuk na lejon shefi, ndërsa ky në realitet asnjëherë nuk ka kërkuar nga shefi i tij një gjë të tillë. Ndoshta pret që shefi i tij, edhe nëse është i krishterë apo diçka tjetër ti thotë shko falu se e ke obligim! Andaj i nderuar vëlla mendoj që namazi yt në punë vetëm se do ta shtoj besnikërinë edhe më shumë tek shefi juaj. Sepse një njeri që  kujdeset dhe ka frikë Allahun në urdhëratë e Tij, ai kujdeset edhe për punën që atij i jepet në përgjegjësi.

Allahu përmirësoftë gjendjen e myslimanëve kudo që janë

Mburoja e Myslimanit