E Diel, Shtator 15, 2019
A- A A+

A lejohet festimi i datëlindjes?

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

Pyetje:

Selam alejkum,e kom edhe një pyetje,a lejohet festimi i datëlindjes?

 

Përgjigje:

Falënderimi i takon Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Pejgamberin ,familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Festimi i datëlindjes është një traditë e futur në mesin e myslimanëve. Veprimi i saj është pasim i të huajve dhe përngjasim me ta. Ai që i përngjan një populli, ai është prej tyre. Andaj nuk i lejohet një myslimani të festoj datëlindjen e tij çfarëdo festimi qoftë ai, i pakët apo i shumtë. Në festimin e saj ka përngjasim me jobesimtarët për të cilët Allahu na ka urdhëruar që ti kundërshtojmë ata dhe të largohemi nga pasimi i asaj që ata veprojnë.

Është obligim i myslimanit që ta pasojë vetëm të vërtetën edhe në traditat e tyre, që edhe ato të jenë brenda për brenda dispozitave të islamit. Në koleksionin e Ebu Davudit me zinxhir të vërtetë nga Ibën Umeri transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Ai që i përngjan një populli, ai është prej tyre”. Po ashtu nga Aisha transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ kush shpik në fenë tonë atë që nuk është prej sajë, ajo është e refuzuar”. Çdo gjë që ndodhë në këtë fe e që nuk është sipas udhëzimit të Pejgamberit është e refuzuar. Festimet e datëlindjeve nuk janë prej udhëzimit të Pejgamberit e as prej veprimit të shokëve të Pejgamberit dhe nuk kanë qenë të njohura këto gjëra në shekujt e parë të islamit. Andaj nga kjo kuptojmë se festimi i datëlindjes nuk ka bazë në fenë e Allahut. Është më primare për njeriun në vend të festimit të datëlindjes së tij të kujtoj se çdo ditë që i kalon nga jeta e tij ai afrohet drejt përfundimit të jetës së tij në këtë botë. Nëse të ka kaluar ty një vit atëherë përkujtoje se kështu do të kalojnë edhe ditët, javët. muajt dhe vitet tjera.

Dije se i Dërguari i Allahut i ka edukuar ummetin e tij që ti kundërshtojnë jobesimtarët në adhurimet e tyre dhe në traditat e tyre. Kështu i Dërguari i Allahut na ka mësuar që ti kundërshtojmë ata në traditat e tyre, në ngrënie, në therje, në veprime dhe sjellje. I Dërguari i Allahut ka thënë: “ kundërshtoni jobesimtarët”. Po ashtu është transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ do të pasoni rrugët e atyre që kanë qenë para jush hap pas hapi gjersa edhe nëse hynë në birucën e hardhucës do ti pasoni ata. I thanë: hebrejt dhe të krishterët. Tha: e kush atëherë?.

Po ashtu i Dërguari i Allahut ka thënë: Nuk do të bëhet kiameti gjersa ummeti im të pasoj rrugët e atyre që kanë qenë para nesh pëllëmbë pas pëllëmbe, hap pas hapi. I thanë: A janë persianët dhe romakët? Tha: e kush tjetër përveç këtyre.

Mburoja e Myslimanit